Partia Fjala: Lufta kundër korrupsionit nis nga edukimi fetar dhe reformat ligjore
Në ‘Debat Përnime’ për zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2026, përfaqësuesit e partisë Fjala prezantuan prioritetet e tyre në sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi, duke vënë theksin te vetingu dhe lufta kundër korrupsionit.
Kryetari i partisë, Gëzim Kelmendi, tha se drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e ndikuar nga politika dhe nepotizmi.
“Jemi dëshmitarë që në këto 26 vite pas luftës punësimet në sektorin publik, në pjesën dominante, kanë ndodhur për shkak të nepotizmit dhe lidhjeve politike”, – deklaroi ai.
Ai theksoi se partia Fjala e sheh sundimin e ligjit si shtyllë kryesore të programit.
“Pjesë kryesore dhe shtyllë kryesore e programit politik të partisë Fjala është sundimi i drejtësisë në vendin tonë”, – tha Kelmendi.
Ndërkohë, kandidati për deputet Avni Çakmaku u fokusua te reforma e vetingut në sistemin e drejtësisë.
“I vetmi element i cili i tejkalon këto pengesa… është vetingu”, – deklaroi ai, duke shtuar se procesi është i domosdoshëm për rikthimin e besimit në gjyqësor.
Ai tha se nëse partia e tij vjen në pushtet, “ne në mënyrë absolute do të insistojmë që vetingu në sistemin gjyqësor të ndodhë”.Kelmendi, nga ana tjetër, kërkoi që procesi i vetingut të shtrihet edhe për politikanët.
“Kam kërkuar që procesi i vetingut jo t’i nënshtrohet vetëm zyrtarët e drejtësisë, por edhe politikanët”, – tha ai, duke shtuar se duhet verifikuar mënyra e krijimit të pasurisë së tyre.
Fjala në këtë debat theksoi se reformimi i drejtësisë dhe vetingu mbeten ndër prioritetet kryesore të programit të saj politik për zgjedhjet e ardhshme.
