E enjte, Dhjetor 5Zgjedhjet e reja me 9 shkurt 2025 / FJALA do garoj e vetme në zgjedhje

Dr.Gëzim Kelmendi – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për vlerat e UÇK-së

GK - Kuvendi
Dr.Gëzim Kelmendi – Vlerat e UÇK-së | Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit

Fjalimi i Kryetarit të Partisë FJALA Dr.Gëzim Kelmendi sot në Kuvendin e Kosovës

Dr.Gëzim Kelmendi “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” përveç që ka vlera ka edhe merita për atë që ne jemi sot këtu.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për vlerat e luftës së UÇK-së, sipas kërkesës së 40 deputetëve nënshkrues të Kuvendit.

Prishtinë, 27.10.2016

GËZIM KELMENDI:
Faleminderit, kryetar!
Përshëndetje për të gjithë deputetët dhe ministrat!

Vërtet debati i sotëm me rastin e arrestimit të komandantit dhe gjithë atyre ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është një debat i cili ka prekur ndjenjat e çdo qytetari të Kosovës dhe çdo qytetari që ka punuar për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Edhe pse, i titulluar ky debat për vlera të UÇK-së, mendoj se UÇK-ja ka shumë vlera se sa të minimizohen në një debat. Debate dhe konferenca të shumta nuk mund ta përshkruajnë vlerën e mirëfilltë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës përveçse ka vlera, ka edhe merita për atë që ne sot jemi këtu, për atë që shteti i Kosovës është i lirë dhe i pavarur, nga se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si prijatare për lirinë e këtij vendi, e ndihmuar nga Aleanca më e fuqishme botërore NATO, ka arritur ta largojë njëherë e përgjithmonë atë regjim gjenocidial, diktatorial dhe terrorist, i cili ka terrorizuar, vrarë e dhunuar qytetarë të pafajshëm. Vërtet është një situatë jo e mirë, por shumë e rëndë. Kemi të arrestuar komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimin dhe gjithë ata ushtarë të cilët kanë dhe janë familjarë të dëshmorëve, ndërsa shqetësimi im kryesor, të cilin do ta them në fund të fjalimit tim, pa dashur ta zgjas më shumë, lidhet me atë se çka do të bëjmë ne si Kuvend i Kosovës, ne si deputetë, lidhur me këtë situatë. Kosova është shtet sovran, Kosova është shtet me identitet dhe dinjitet, por fatkeqësisht, vitet e fundit përballë gjithë këtyre stuhive dhe furtunave, po e luajmë rolin e një shteti pa identitet dhe pa dinjitet.

Si lejojmë që të barazohemi dhe të rritemi në raport me agresorin?

Kosova nuk i ka vrarë 20000 civilë, por i ka vrarë regjimi i Serbisë. Kosova nuk i ka dhunuar mbi 12000 gra, por i kanë dhunuar forcat paramilitare serbe. Ne ende… në deponi, varreza masive dhe vende të ndryshme nëpër Serbi i kemi mbi njëmijë të pagjetur, ndërsa ende dikush merr guximin ta dënojë dhe persekutojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Vërtet një situatë shumë e rëndë, e cila na bën neve të gjithëve që të zgjohemi nga ky gjumë, i cili fatkeqësisht, me apo pa dëshirë, kemi lejuar të ndodhin këto furtuna që duan ta njollosin edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si ushtria vetëmbrojtëse që ka mbrojtur pragun e shtëpisë dhe ka mbrojtur dinjitetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës.

Të dashur deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Vërtet, përvoja ime negative edhe në këtë mandat edhe në atë mandat më shtynë ta them këtë. Rezolutat të cilat i ka nxjerrë Kuvendi i Republikës së Kosovës, qoftë në këtë mandat, qoftë në atë mandat, as një herë të vetme nuk janë zbatuar nga qeveritë e Republikës së Kosovës, as nga 105 Qeveria e kaluar dhe as nga kjo Qeveri.

Dhe, çfarëdo rezolute që do të dalë sonte, unë mendoj se nuk do të ketë efekt e veçanërisht nëse kësaj ia shtojmë edhe mosharmonizimin në mes grupeve parlamentare, qoftë të atyre në pozitë, qoftë opozitë. Këtë e bën edhe më të rëndë kjo situatë, kur rezolutat nuk janë zbatuar. Nuk kërkojmë që Kuvendi i Kosovës dhe ne si deputetë të ndërhyjmë në gjyqësor, në asnjë moment. Por, kërkojmë njëherë e përgjithmonë, që të zbardhet e vërteta. Fatkeqësisht, vite me radhë Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë në mënyrë zyrtare raportin e progresit të Komisionit Evropian, ku shqetësim kryesor, përveç krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka edhe ndikimin e politikës në drejtësi.

Dhe, këtu dua të dal për ta përfunduar këtë fjalim timin. Ne si Kuvend i Kosovës, në pamundësi që përmes rekomandimeve dhe rezolutave të realizojmë qëllimet tona, sa i përket rezolutës dhe qëllimeve tona e kemi edhe rastin e fundit negativ, kur Kuvendi arriti të nxjerrë një rezolutë kozmetike, mashtruese dhe jo të sinqertë, rastin e arrestimin e drejtorit rajonal të Policisë, Nehat Thaçit, e cila doli dhe u vlerësua nga shumë qytetarë, shumë analistë, se ishte rezolutë joparimore, shumë mashtruese dhe shumë jo korrekte. Prandaj, pa dashur të paragjykoj se cila do të jetë rezoluta jonë, ne si Kuvend i Kosovës kemi edhe disa mundësi të tjera. Mos të harrojmë, që roli i Kuvendit të Kosovës është, përveç legjislativ ka edhe rolin përfaqësues por edhe mbikëqyrës.

Ne duhet t’i mbikëqyrim dhe të kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht nga Ministria e Drejtësisë, që të ushtrojë ndikimin e saj në Këshillin Prokurorial dhe institucionet e gjyqësisë, të kërkojë informata shtesë, të eliminojë të gjithë ata faktorë negativë, që kanë ndikuar në vendimet, e veçanërisht që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, mekanizmi i dytë përveç presionit në Qeveri, është se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kompetenca edhe në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, të themelojë komisione ad hoc hetimore parlamentare.

Përmes këtyre komisioneve hetimore duhet Kuvendi i Kosovës ta zbulojë dhe ta ndriçojë njëherë e përgjithmonë këtë shqetësim që e paraqet edhe Bashkimi Evropian, kur jemi te ndikimi i politikës në drejtësi. Duhet Kuvendi i Kosovës që përmes komisioneve ta zbulojë se kush po e dënon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kush po i dënon djemtë dhe bijat më të mira të këtij vendi. A është Serbia përmes dorës së zgjatur të saj në Kosovë dhe instrumenteve të saj apo është politika kosovare, që mbetet shqetësim edhe i ndërkombëtarëve?!

Prandaj, pa dashur ta zgjas më shumë, i nderuar kryetar i Kuvendit, kërkoj nga ju e mund të jetë edhe pjesë e rekomandimeve sonte, që me automatizëm të themelohet një komision hetimor parlamentar, që njëherë e përgjithmonë të hetojë ndikimin e Serbisë në vendimet e gjyqësorit dhe ndikimin e politikës në drejtësi.

Faleminderit!

VIDEO NGA KUVENDI
https://www.youtube.com/watch?v=hO24ucDDQYo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.