E mërkurë, Tetor 9Zgjedhjet e reja me 9 shkurt 2025 / FJALA do garoj e vetme në zgjedhje

Dr.Gëzim Kelmendi – Debat parlamentar lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit

GK - Kuvendi 5
Dr.Gëzim Kelmendi – Debat parlamentar lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryetar!
E nderuar familje Dehari,
Të nderuar kolegë deputetë dhe deputete,
Mysafirë të nderuar,
Debati për rastin e vdekjes së Astrit Deharit mendoj që është një debat i vonuar, një seancë e vonuar ngase ne kohë më parë e kishim një kërkesë nga Lëvizja “Vetëvendosje”, kërkesa e cila nuk arriti të realizohet në një seancë të jashtëzakonshme.

Kanë qenë shumë arsye pse është dashur të mbahet ajo seancë e jashtëzakonshme e iniciuar nga Lëvizja “Vetëvendosje”, përveç natyrës, formës dhe vendit të vdekjes ka qenë një solidarizim së paku me kolegët parlamentar, ngase mos të harrojmë Lëvizja “Vetëvendosje” është parti parlamentare, është pjesë e Parlamentit të Kosovës nëse për ndonjë aspekt nuk është dashur të mbështet së paku në këtë pikë është dashur të solidarizohemi me Lëvizjen “Vetëvendosje” për faktin se bëhet fjalë për një aktivist të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Prandaj, unë mendoj që ky debat është i vonuar dhe vonesën e këtij debati e bën edhe më të rëndë fakti se ky debat vjen pas verdiktit përfundimtar të institucioneve të drejtësisë kosovare, ku vdekja e Astrit Deharit konsiderohet si vetëvrasje pa dashur të paragjykojë, ngase ne sot i kemi dy verdikte: e kemi një që e cilëson në vetëvrasje, ndërsa verdikti tjetër e ekspertëve ligjor e cilësor si vrasje.

Pa dashur të paragjykoj aktin se si ka ndodhur, unë mendoj që ne si Parlament i Kosovës jemi të pavarur nga institucionet e drejtësisë dhe në asnjë moment nuk duhet të presim verdiktin e institucionit të drejtësisë, ngase është thënë dhe po thuhet në vazhdimësi se Parlamenti nuk guxon të përziejë në kompetenca të drejtësisë, ne me këtë seancë të sotme me këtë debat të sotëm thuajse jemi përzier tërësisht, ngase kemi mirëprit një verdikt final dhe tash ne flasim mbi atë verdikt se si ka ndodh vdekja, vrasja apo vetëvrasja e Astrit Deharit.

Prandaj, kërkesa dhe debati i tillë është dashur të zhvillohet shumë më herët, të jetë më parimor pavarësisht verdiktit përfundimtar. Jemi duke jetuar në një shtet demokratik, ku synojmë në integrimin e strukturave euro atlantike edhe në Bashkimin Evropian. Vdekja e Astrit Deharit ka paraqitur dhe ka qitur në pah një situatë që ekziston në burgjet e Kosovës, mos të harrojmë se dy vite më parë në një burg tjetër, jo në Prizren, por konkretisht në Dubravë një qytetar i Kosovës për një dënim të shkallës civile në vonesë të pagesave të taksave është dhunuar seksualisht nga shokët e tij të dhomës.

Do të thotë, gjendjen e tillë të vdekjeve dhe rasteve të tilla në burgjet e Kosovës, vdekja e Astrit Deharit duhet të jetë një moment kur vërtet bëhen reforma pozitive në shërbimin korrektues në burgjet e Kosovës, respektohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës, të konsiderohen të gjithë të barabartë.

Fatkeqësisht jo vetëm në liri këtu edhe në politikë, por edhe në burgje ka diskriminime në raport mes shqiptarëve dhe serbëve. E dini i akuzuari për terrorizëm për vepra terroriste i cili para dy vjetësh u arrestua pranë Ambasadës Amerikane një natë para Krishtlindjeve, me 13 kg eksploziv, tash i është zvogëluar dënimi nga 13 vjet në 11 vjet, atij i është transferuar burgu nga një burg tjetër në një burg tjetër ngase nuk ka qenë komod, ndoshta brenda kësaj vere pritet ta dërgojnë edhe në pushime verore.

Ndërsa shqiptarët e Kosovës ballafaqohen me këto diskriminime edhe vdekje brenda burgjeve të Kosovës pa dashur të paragjykojë verdiktin final të formës së vdekjes së Astrit Deharit, kërkoj që të bëhet vërtetë një hetim ndërkombëtar, njëherë e përgjithmonë të zbardhet ky rast, por edhe të fillojë reforma pozitive, të respektohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës në burgjet e Kosovës pa dallim nacionaliteti, feje e race.

Faleminderit!

Kuvendi Kosovës,
Prishtinë, 20.12.2016

VIDEO FJALIMI NGA KUVENDI
https://www.youtube.com/watch?v=mIxxWZurz3A

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.