E enjte, Dhjetor 5Zgjedhjet e reja me 9 shkurt 2025 / FJALA do garoj e vetme në zgjedhje

Dr.Gëzim Kelmendi – Fjalim në seancën e jashtëzakonshme lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt

GK - Kuvendi 4Dr.Gëzim Kelmendi – Fjalim në seancën e jashtëzakonshme lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt

Prishtinë (10.01.2017)

GËZIM KELMENDI: Faleminderit, i nderuar kryesues!
E nderuar Familje Haradinaj,
Kolegë dhe kolege deputetë të nderuar,
I nderuar zëvendëskryeministër,
Në seancën e fundit, të cilin e kemi pasur në Parlamentin e Kosovës, e cila e ka trajtuar temën e njëjtë që pikërisht kishte të bëjë me arrestimin e qytetarëve të Kosovës, konkretisht pjesëmarrësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur fjala ishte për drejtorin rajonal Nehat Thaçi, pas përfundimit të asaj seance, thënë të drejtën, nuk kam pas dëshirë të kemi më situata të tilla në Kosovë, por e kam ditur se mund të ndodhin prapë. Pavarësisht dëshirës sime mund të ndodhin.

Pse mund të ndodhin?
Ngase edhe ne si Kuvend i Kosovës, edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, nuk kemi treguar gatishmëri që t’i mbrojmë qytetarët tanë.

Fjala këtu është, jo vetëm nëse duhet të adresojmë kritika a jo ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe ndaj Kuvendit, ngase asnjëherë nuk kemi qenë të fuqishëm të mbrojmë dhe njëherë të shprehim guximin tonë dhe fuqinë tonë përballë partnerit të bisedimeve në Bruksel, konkretisht përballë Serbisë. E arrestimi i fundit i ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, i ish-gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është goditje vetëm për familjen, nuk është goditje vetëm për partinë e tij, por është goditje për tërë shtetin dhe për tërë qytetarët e Republikës së Kosovës, ngase është arrestuar një ish-kryeministër, një gjeneral i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili dy herë në dy procese të drejta ndërkombëtare e ka dëshmuar pafajësinë e tij dhe tash arrestohet padrejtësisht me një fletarrest të adresuar nga Republika e Serbisë.

Është shumë i dhimbshëm dhe shumë i rëndë për ne si qytetarë të Kosovës ky arrestim i Ramush Haradinajt.
Këtë situatë e bën edhe më të rëndë fakti se sot Republika e Serbisë ka kërkuar ekstradimin e tij nga Franca në Beograd, konkretisht në Serbi, që atje të gjykohet. Unë mendoj, pa dashur ta zgjas më shumë, në aspektin se cila është politika e Beogradit përballë neve, të gjithë e dimë politikën e Beogradit edhe para luftës edhe pasluftës, por shqetësimi im kryesor mbetet te ne.

Çka ne si Kuvend, çka ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi të gatshëm të bëjmë për mbrojtjen e qytetarëve tanë që po arrestohen. Në seancën e fundit kam kërkuar, kërkoj edhe tash – domosdo hapi i parë që duhet të ndërmerret në raport me Serbinë është ndërprerja e bisedimeve njëherë e përgjithmonë, të tregojmë guximin, vullnetin dhe fuqinë tonë që dimë dhe duam t’i mbrojmë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Nëse sot është arrestuar Ramushi, nesër mund të arrestohen edhe të tjerët. Prandaj, ne si shtet duhet t’i mbrojmë qytetarët e Republikës së Kosovës në çdo rast dhe në çdo situatë, e në veçanti duhet ta mbrojmë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Pyes veten edhe ju: A kemi shtet, a kemi institucione, a janë të gatshëm ata t’i mbrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës? Të mos harrojmë se edhe Qeveria edhe Kuvendi e kanë një detyrë, ta mbrojnë interesin e qytetarëve të shtetit të Kosovës, e jo t’i mbrojnë interesat e veta. Fundjafundja, në bisedimet që po zhvillohen në Bruksel e kemi parë që sa vjet me radhë se kush po përfiton nga ato. Përfituesi kryesor pa dyshim është Serbia.

Ajo, përveç që ka fituar para shumë viteve liberalizimin e vizave, tash pritet ta fitojë edhe statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, përderisa qytetarët e Kosovës ende nuk kanë drejtë të lëvizin pa viza.

I dëgjova këtu nga deputetët parafolës edhe disa shqetësime, reagime dhe kritika se Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të mendojë. Unë mendoj që Qeveria nuk duhet të mendojë, Qeveria duhet të veprojë. Mjaft ka menduar deri tash, ngase si pasojë e mosveprimit të Qeverisë dhe mosveprimit të Kuvendit e kemi ‘atrofinë’ – zvogëlim të shtetit edhe në aspektin fizik, edhe njerëzor. Në mjekësi, në gjuhën latine përdoret një fjalë – “atrofia si pasojë e mosfunksionimit”.

Ne kemi atrofi, zvogëlim të shtetit edhe në aspektin fizik, edhe në aspektin njerëzor. Në aspektin fizik e kemi murin që është ndërtuar dhe po e ndan Kosovën dhe kemi çdo ditë zvogëlim të njerëzve, të qytetarëve të Kosovës, të cilët në vazhdimësi arrestohen nga Republika e Serbisë. Prandaj, edhe një herë pa dashur të zgjas më shumë, edhe ne si Kuvend, edhe si Qeveri, duhet njëherë e përgjithmonë t’i themi vetes, të reflektojmë, të jemi vetja jonë, ta mbrojmë qytetarin e Republikës së Kosovë, ngase janë bërë shumë arsye pse duhet të ndërpriten bisedimet.

Arsyeja e parë është pikërisht kjo seanca për të cilën ne po flasim – arrestimet, dhe arrestimi i fundit i komandantit dhe ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Pastaj, mosdorëzimi i personave të pagjetur, mosrespektimi i marrëveshjeve të Brukselit, ndërtimi i murit, cenimi i integritetit territorial në vazhdimësi nga Beogradi.

Të gjitha këto janë argumente që Kosova njëherë e përgjithmonë duhet të tregojë se është shtet, se ka Qeveri dhe ka Parlament.

Faleminderit!

VIDEO NGA KUVENDI

https://www.youtube.com/watch?v=X5XvHIFO0_0

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.